
Shefi turk Nusret Gökçe, i njohur për spërkatjen me kripë, përballet me kolaps financiar pasi marka e tij “Nusr-Et” regjistron humbje milionëshe dhe shkurton aktivitetin ndërkombëtar.
Kuzhinieri i famshëm turk Nusret Gökçe, i njohur në mbarë botën si Salt Bae, po përballet me një krizë të rëndë financiare. Sipas raportimeve nga mediat britanike, kompania e tij “Nusr-Et Steakhouse London” ka regjistruar humbje rekord prej 6.38 milionë eurosh gjatë vitit 2024, pavarësisht të ardhurave mbresëlënëse prej mbi 11.6 milionë eurosh.
Sipas dokumenteve financiare, humbjet janë shkaktuar nga rivlerësimi negativ i aseteve në SHBA, që i kushtoi kompanisë rreth 6.96 milionë euro. Rrjeti i restoranteve luksoze të Gökçes, dikur i pranishëm në shtatë qytete amerikane, është tkurrur ndjeshëm me mbyllje të njësive në Beverly Hills, Dallas, Las Vegas, Boston dhe New York, duke lënë hapur vetëm dy lokacione në SHBA.
Restoranti ikonë në Knightsbridge të Londrës, i frekuentuar nga emra si Cristiano Ronaldo dhe David Beckham, ka mbetur simboli i suksesit të Salt Bae, por jo i fitimit. Në kulmin e famës, ai u bë viral për mënyrën e tij teatrale të kriposjes së mishit dhe për çmimet marramendëse: bifteku “Tomahawk” kushton 731 euro, ndërsa mishi “Wagyu” arrin 1.15 euro për gram.
Megjithatë, lavdia e rrjeteve sociale nuk mjaftoi për të shpëtuar perandorinë e tij të kuzhinës. Sipas të dhënave të fundit, rezervat financiare të kompanisë janë tkurrur nga 9.4 milionë në vetëm 2.67 milionë euro, një rënie dramatike që sinjalizon fundin e një epoke për “mbretin e kripës”.
Në një reagim për “Restaurant Dive”, kompania e Salt Bae deklaroi se po zhvendos fokusin në rritjen ndërkombëtare, me plane për hapje të reja në Mexico City dhe Ibiza.
Ndërkohë, në platformën “TripAdvisor”, restoranti i famshëm mban një vlerësim mesatar prej vetëm 2.9 yjesh, një tregues se spektakli dhe luksit nuk i mjaftojnë më për të bindur klientët.