
I ftuar në emisionin “Opinion”, Hoxha analizoi strukturën dhe ndikimin e bandave të zonës, duke e cilësuar Mond Çekiçin (të vrarë në vitin 2021) si “trurin e organizatës kriminale të Shijakut”, me ndikim të drejtpërdrejtë në portin e Durrësit, që sipas tij ishte “nyja kryesore e futjes së kokainës në Shqipëri”.
“Nëse Tirana është kryeqendra e vendimmarrjes së grupeve, Durrësi është porta e logjistikës. Nga aty kalonte gjithçka, dhe Mond Çekiçi ishte një nga emrat që menaxhonte flukset e mallrave dhe të drogës përmes portit,” deklaroi Hoxha.
Gazetari kujtoi edhe disa ngjarje të rënda kriminale që, sipas tij, lidhen me përplasjet mes këtyre grupeve:
- Atentati ndaj Plarent Dervishajt në vitin 2018,
- dhe vrasja e shoferit Andi Maloku në vitin 2019, në makinën e prokurorit Arjan Ndoja (sot deputet).
“Të gjitha këto atentate lidhen me luftën për kontrollin e rrugëve të kokainës dhe të ndikimit në Durrës e Shijak,” shtoi Hoxha.
Le t’i referohemi SKY ECC, se si operon krimi i organizuar. Kur është hapur SKY, shefja e Interpolit atëherë ka thënë se po arrijmë të shohim një flokëbore nga gjithë maja e ajsbergut.
Së pari, kemi një ngjarje që është bërë një atentat në qershor të vitit 2018 ndaj Plarent Dervishajt. Atë ditë kam thënë që në Durrës sapo ka filluar lufta. Herë pas here dëgjohen beteja, dhe Durrësi është qyteti më i rëndësishëm në Shqipëri, pas Tiranës, sepse është porti. Dhe atentati tjetër është në 2019, ku goditet Rrumi në makinën e prokurorit dhe vdes shoferi që s’ka faj, Andi Maloku, 23 vjeç. Më i pafajshmi në atë histori.
Ngjarjet vijuan, betejat mes grupeve u bënë të qarta. Këto dy grupet që ka evidentuar SPAK-u nga kjo dosje janë nga Shijaku. Durrësi është tjetër gjë, është det. Shijaku është kodër. Herë pas here ata bëjnë kompromise dhe i ndajnë zonat e tyre.“, tha Hoxha.
Sipas gazetarit, Mond Çekiçi (i vrarë më vonë) kishte marrë nën kontroll menaxhimin dhe pastrimin e Portit të Durrësit përmes tenderëve, duke shfaqur një ndikim të fortë të krimit të organizuar në ekonomi dhe infrastrukturë.
“Më pas vritet Edmond Keçi ose Mond Çekiçi, ishte truri i bandës së Durrësit, që kishte zanafillën, ku ata fusin Lulzim Berishën, Plarent Dervishajn. Por Mond Çekiçi ishte truri. Pse? Sepse Çekiçi me letra kishte fituar tenderin dhe kishte menaxhimin dhe pastrimin e Portit të Durrësit. Nga ai moment e mbrapa fillon situata që s’kapet më kokainë në Durrës. U mor nën kontroll porti, qyteti. Kjo panoramë na tregon se këto dy grupe, nuk janë aleatë, por në një moment të caktuar atyre u përputhen interesat.“, shtoi Hoxha.
Sipas tij, edhe pse disa prej figurave kryesore janë eliminuar ose arrestuar, strukturat kriminale në Durrës vazhdojnë të funksionojnë në nivele të ndryshme, duke e bërë qytetin një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë kombëtare.