
Zelenskyy raporton mijëra viktima ruse në Dobropillia, ndërsa BE paralajmëron për “luftë hibride” në Evropë
Luftimet në Ukrainë hynë në ditën e 1 323 me përplasje të ashpra dhe zhvillime të reja në fushën e betejës, diplomaci dhe siguri.
Tre persona u vranë dhe një tjetër u plagos nga bombardimet ukrainase në rajonin rus të Belgorodit, sipas guvernatorit lokal. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj kanë marrë nën kontroll fshatin Novohryhorivka në rajonin e Zaporizhias, një zonë strategjike në juglindje të Ukrainës.
Sipas agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti, mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 53 dronë ukrainas gjatë natës, ndërsa Kievi vazhdon ofensivën kundër infrastrukturës energjetike të Rusisë.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se trupat e tij kanë eliminuar mijëra ushtarë rusë në rajonin e Dobropillias që nga 21 gushti, kur nisi kundërofensiva në lindje të vendit. Ai shtoi se sulmet ndaj rafinerive dhe depozitave të naftës ruse kanë shkaktuar mungesa të mëdha energjie në Rusi, duke detyruar Kremlinin të përdorë rezervat e tij të naftës për ditë të vështira.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli në Parlamentin Evropian duke e cilësuar situatën aktuale si një luftë hibride që po zhvillohet në hapësirën evropiane.
Ajo theksoi se incidentet me dronë në disa shtete të BE-së tregojnë se Rusia po përpiqet të përçajë Evropën dhe të dobësojë mbështetjen për Ukrainën.
“Evropa mund të zgjedhë të tërhiqet dhe të shohë kërcënimet ruse të rriten, ose t’u përgjigjet me unitet, vendosmëri dhe aftësi parandaluese,” -deklaroi Von der Leyen.
Ndërkohë, Vladimir Putin ka mohuar çdo përfshirje të Moskës në këto incidente.
Kremlini ka reaguar ashpër ndaj planeve të mundshme të Uashingtonit për t’i dorëzuar Ukrainës raketa Tomahawk. Kreu i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin rus, Andrei Kartapolov, paralajmëroi se ata që i furnizojnë dhe ata që i përdorin do të përballen me pasoja.
Në të njëjtën kohë, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov deklaroi se impulsi për paqe që lindi pas samitit Putin–Trump në gusht, është shuar, duke akuzuar SHBA për mungesë qasjeje realiste dhe përshkallëzim të konfliktit.