
Për herë të parë, çmimet e banesave dhe energjisë japin ndikimin më të madh në përbërjen e inflacionit, duke kaluar ushqimet si faktor kryesor të rritjes së çmimeve
Ekonomia shqiptare po përballet me një tjetër sinjal të qartë të shtimit të kostove të jetesës. Sipas të dhënave të publikuara për muajin shtator, inflacioni arriti në 2.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar një rritje të moderuar, por të qëndrueshme të çmimeve në disa sektorë kyç të tregut.
Për herë të parë në vite, grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” doli si kontribuesi kryesor në rritjen e inflacionit, me një ndikim prej 0.83 pikë përqindje në totalin e indeksi. Kjo tregon se çmimet e banesave dhe shërbimeve bazë janë kthyer në faktorët kryesorë të presionit ekonomik për familjet, duke kaluar ushqimet, të cilat historikisht kanë qenë shtytësi më i madh i inflacionit.
Në krahasim me shtatorin e vitit 2024, çmimet e qirave dhe energjisë u rritën me 4.1%, ndërsa grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënoi një rritje më të ulët, prej vetëm 1.8%, më poshtë se mesatarja e përgjithshme.
Në detaje, çmimet e mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake u rritën me 2.6%, pijet alkoolike dhe duhani me 3.4%, ndërsa grupi “argëtim dhe kulturë” shënoi një rritje më të fortë prej 4.7%, duke reflektuar kthimin e shpenzimeve familjare drejt konsumit jo jetik.
Ndërkohë, brenda kategorisë së ushqimeve, rritjen më të ndjeshme e patën vajrat dhe yndyrnat (+5.9%), ndjekur nga produktet e bulmetit (+3.5%), mishi (+3.2%) dhe peshku (+2.5%).
Krahasuar me muajin gusht 2025, vërehet se inflacioni mujor është ndikuar më shumë nga arsimi (+2%), veshjet dhe këpucët (+1%), si dhe nga shërbimet komunale (+1%), ndërsa çmimet e transportit janë ulur me 0.2%, të vetmet që kanë shënuar rënie.
Analistët vlerësojnë se zhvendosja e barrës inflacionare nga ushqimet te qiratë dhe energjia përbën një ndryshim strukturor në ekonominë familjare shqiptare, duke treguar se pasojat e kostove të banesave po ndihen më shumë se çmimet e tregut ushqimor.
Ky trend, sipas ekspertëve të tregut, sinjalizon se inflacioni po zhvendoset nga produktet bazë te shpenzimet e domosdoshme urbane, një zhvillim që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në standardin e jetesës dhe në fuqinë reale blerëse të qytetarëve gjatë muajve në vijim.