
Presidenti serb akuzon Turqinë për shkelje të Rezolutës 1244 dhe përpjekje për të rikthyer ndikimin osman në rajon, duke e cilësuar situatën si kërcënim për paqen
Tensionet mes Serbisë dhe Turqisë janë përshkallëzuar pas deklaratave të ashpra të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili ka reaguar me tone të forta ndaj lajmeve se një fabrikë turke armësh ka furnizuar me armatime Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Në një postim publik, Vuçiç e cilësoi këtë veprim si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe provokim të drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit rajonal. “Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe nga shkelja brutale e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Armatosja e vazhdueshme e autoriteteve të Prishtinës është akt i papërgjegjshëm që rrezikon sigurinë e gjithë Ballkanit”, -shkroi Vuçiç.
Duke vijuar me kritikat, ai akuzoi Ankaranë se po ndjek politika ekspansioniste në Ballkan. “Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron paqe në Ballkanin Perëndimor. Ajo ëndërron të rikthejë ndikimin e saj të dikurshëm dhe po e bën këtë përmes Kosovës,” -deklaroi presidenti serb.
Vuçiç shtoi se Serbia nuk do të qëndrojë pasive përballë zhvillimeve dhe se Beogradi e ka kuptuar mirë mesazhin. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë për të frenuar përshkallëzimin, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të ndezin tensione të reja në rajon.
Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Ankarasë janë përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit, në një kohë kur bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe Turqisë është zgjeruar ndjeshëm përmes marrëveshjeve për trajnime dhe furnizime me armë moderne.