
Aktorja e njohur zbulon për herë të parë se luftoi për dekada me vështirësi mjekësore, ndërsa përballej me gjykimin publik dhe mitet për jetën e saj personale
Jennifer Aniston, një nga figurat më të dashura të Hollywood, ka rrëfyer një histori të dhimbshme dhe të panjohur më parë për publikun. Në një intervistë, aktorja 56-vjeçare zbuloi se për gati 20 vjet ka kaluar në heshtje një betejë të vështirë për t’u bërë nënë.
“Për vite me radhë më etiketuan si një grua që nuk dëshiron familje, që është egoiste, e përqendruar vetëm te puna. Askush nuk dinte çfarë po përjetoja në të vërtetë. Po luftoja për të ndërtuar një familje, për të pasur një fëmijë, dhe këtë e mbajta për vete. Nuk mendoja se ishte puna e askujt tjetër,” -u shpreh Aniston.
Aktorja e serialit legjendar “Friends” pranoi se komentet dhe paragjykimet e vazhdueshme për jetën e saj private e kanë lënduar thellë. “Jam njeri si të gjithë. Ka ardhur një pikë kur nuk mund të mos e dëgjoja më narrativën që më quante të ftohtë, pa ndjenja, egoiste. Kjo më goditi, sepse nuk ishte e vërtetë,” -tha ajo.
Jennifer ka qenë dy herë e martuar, fillimisht me aktorin Brad Pitt nga viti 2000 deri në 2005, dhe më pas me Justin Theroux nga 2015 deri në 2018. Në vitin 2022, ajo pranoi publikisht se kishte provuar trajtime IVF dhe metoda të tjera për të mbetur shtatzënë, por pa sukses. “Do të doja që dikush të më kishte thënë më herët: ngriji vezët. Por jeta më ka mësuar shumë. E kam pranuar dhe nuk kam më pendesa,” -ka thënë aktorja.
Në intervistë, Aniston foli edhe për presionin që përjetojnë gratë në industrinë e filmit dhe në shoqëri për të pasur fëmijë. “Ideja se ekziston një ‘afat skadence’ për gratë është e gabuar dhe e vjetruar. Ne kemi ende shumë për të dhënë, dhe jemi më shumë se gjysma e botës,” -theksoi ajo.
Aktorja, që kohët e fundit ka nisur një romancë të re me hipnotistin Jim Curtis, thotë se ndjehet më e qetë dhe në paqe me veten. Sot jam mirënjohëse për gjithçka. Jam e lumtur me atë që jam, dhe përfundimisht ndiej se historia ime është treguar ashtu siç duhet.