
Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytetin bregdetar Margate në juglindje të Anglisë, ku qindra banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre pasi policia gjeti materiale të dyshimta që mund të ishin eksplozivë në një banesë.
Sipas mediave britanike, policia e Kentit ka evakuuar katër rrugë : Rosedale Road, Glencoe Road, Wharfedale Road dhe Malham Drive, pasi një person kishte njoftuar për objekte të dyshimta në një apartament. Një ekip i specializuar për çaktivizimin e bombave i Ministrisë së Mbrojtjes është dërguar menjëherë në vendngjarje për të hetuar situatën.
Forcat e rendit kanë arrestuar një person që dyshohet se është i lidhur me rastin dhe aktualisht ai ndodhet në paraburgim. “Një individ është arrestuar në lidhje me incidentin dhe ndodhet në gjendje ndalimi,” -deklaroi policia në një njoftim për mediat.
Autoritetet lokale kanë hapur qendrën e emergjencës në Hartsdown Leisure Centre për të strehuar banorët e evakuuar, ndërsa këshilltari i zonës, Jack Packman, ka bërë thirrje për qetësi. “Situata po trajtohet me kujdes dhe profesionalizëm. Nuk ka arsye për panik. Nëse ndokush ka nevojë për ndihmë ose strehim, ekipet tona janë në terren për t’u ofruar mbështetje,” -tha ai.
Një banor i zonës, 28-vjeçari Liam John, rrëfeu për mediat momentin kur u urdhërua të largohej nga shtëpia. “U ktheva nga puna dhe policia ishte në derën time. Më thanë se duhej të evakuohesha sepse kishin gjetur objekte të dyshimta në një apartament aty pranë. Ishte tronditëse, plot makina policie dhe një ekip i bombave. Mesa duket do ta kaloj natën në rrugë,” -tregoi ai.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të përcaktuar natyrën e materialeve të gjetura dhe nëse ato përbëjnë një kërcënim të vërtetë për sigurinë publike. Policia ka paralajmëruar se perimetri i sigurisë do të qëndrojë i mbyllur derisa ekspertët të përfundojnë ekzaminimet.