
Operacioni “The Wanted” i Interpolit kthen në Shqipëri 39-vjeçarin Kleviol Ahmeti, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga Tirana dhe Fieri
Kleviol Ahmeti, i njohur në rrjetet sociale si “Cllevio”, është ekstraduar mbrëmë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, nën shoqërimin e policisë. Pamjet e mbërritjes e treguan të prangosur dhe të rrethuar nga oficerë, pasi autoritetet shqiptare e kishin shpallur në kërkim për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, lokalizimi dhe kapja e 39-vjeçarit u bë në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit “The Wanted”, që synon ekstradimin e shtetasve shqiptarë të kërkuar ndërkombëtarisht.
Ahmeti rezulton me masë sigurie “arrest në burg” të caktuar nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në vitin 2024, për akuzën e përndjekjes ndaj shtetasit R. R. dhe familjarëve të tij, si fizikisht ashtu edhe në rrjetet sociale. Po në vitin 2024, Gjykata e Fierit e dënoi me 9 muaj burg për largim nga vendi i qëndrimit, duke shkelur kështu detyrimet e masës së sigurisë.
Pas procedurave të dorëzimit në Rinas, Ahmeti iu kalua autoriteteve shqiptare dhe pritet të paraqitet për masë sigurie për akuzat që rëndojnë mbi të. Autoritetet njoftuan se verifikimet e mëtejshme procedurale do të zhvillohen sipas afateve ligjore.