
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për tre personat e ndaluar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e rëndë që tronditi vendin të hënën, më 6 tetor.
Në seancën e zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, para trupës gjykuese u paraqitën Elvis Shkambi, i dyshuar si autor i vrasjes, xhaxhai i tij Gjon Shkambi, i akuzuar për bashkëpunim në krim, dhe punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj, të cilit i është komunikuar akuza për shpërdorim detyre.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja ndodhi brenda sallës së Gjykatës së Apelit, ku gjatë një seance gjyqësore, Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri nga Elvis Shkambi, në prani të disa punonjësve të policisë gjyqësore dhe qytetarëve.
Ngjarja pa precedent ka shkaktuar tronditje në sistemin e drejtësisë dhe reagime të forta nga institucionet e larta të shtetit, të cilat e kanë cilësuar aktin si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe autoritetit gjyqësor.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve të vrasjes dhe për identifikimin e çdo personi tjetër që mund të ketë ndihmuar në organizimin apo mbulimin e ngjarjes.