
Një grup familjarësh të pengjeve izraelite ka bërë një apel ndaj Komitetit të Çmimit Nobel, duke kërkuar që Presidenti amerikan Donald Trump të nderohet me Çmimin Nobel për Paqe, për përpjekjet e tij në negociatat për lirimin e pengjeve që ende mbahen në Rripin e Gazës.
Në një letër zyrtare drejtuar Komitetit të Nobelit, Forumi i Familjeve të Pengjeve shkruan:
“Ne ju bëjmë thirrje me forcë të vlerësoni Presidentin Trump me Çmimin Nobel për Paqe, sepse ai ka premtuar se nuk do të pushojë dhe nuk do të ndalet derisa çdo peng të rikthehet në shtëpi.”
Në letrën e tyre, familjet theksojnë se ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Tramp ka qenë vendimtare në vazhdimin e negociatave dhe se vendosmëria e tij për të sjellë paqe bëri të mundur atë që shumë e konsideronin të pamundur.
Ky apel publik vjen dy vjet pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, kur dhjetëra civilë u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza. Sipas forumit, ende 48 persona mbeten peng, ndërsa ata e konsiderojnë këtë moment si pikën më kritike të gjithë procesit.
Familjet organizuan edhe një ceremoni simbolike, ku Trump u shpall fitues nderi i Çmimit Nobel për Paqe, duke shpresuar se ky veprim do të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare dhe do të forcojë presionin diplomatik për lirimin e pengjeve.
Në një letër dërguar forumit, Tramp falënderoi familjet për nominimin dhe tha:“Administrata ime është plotësisht e përkushtuar t’i japë fund këtij konflikti. Jam thellësisht i prekur nga guximi juaj për të vazhduar të tregoni historitë e të dashurve tuaj, përmes dhimbjes dhe pasigurisë.”
Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukurve deklaroi se ky apel është shenjë e shpresës që tregon se ndoshta makthi po shkon drejt fundit, ndërsa Trump, tashmë në qendër të diplomacisë ndërkombëtare për çështjen e Gazës, e cilësoi nominimin si nderin më të madh të jetës së tij.