
Një operacion i Policisë së Kosovës ka zbuluar një rast të rëndë të abuzimit kibernetik me fëmijë, ku tre persona u arrestuan në Prizren dhe Obiliq, pasi dyshohet se shpërndanin dhe ruanin materiale me përmbajtje të shfrytëzimit seksual të të miturve.
Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, çuan në bastisjen e tri lokacioneve të ndryshme, ku u sekuestruan katër telefona celularë, katër kompjuterë dhe një tablet që dyshohet se janë përdorur për aktivitetet e paligjshme.
Burime policore konfirmojnë se personat e arrestuar janë kosovarë dhe kanë përdorur rrjete sociale dhe platforma të ndryshme online për të shkarkuar dhe shpërndarë materiale të ndaluara që përfshijnë keqpërdorim seksual të fëmijëve.
Pas marrjes në pyetje, me urdhër të prokurorit, të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse pas tyre qëndron një rrjet më i gjerë.
Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si një nga më të rëndët e viteve të fundit në fushën e krimeve digjitale, duke bërë thirrje për vigjilencë të shtuar ndaj aktiviteteve online që përfshijnë fëmijët dhe të miturit.