
Një valë arrestimesh ka përfshirë industrinë e argëtimit në Turqi, pasi autoritetet kanë zbuluar një rrjet të dyshuar droge ku përfshihen aktorë, këngëtarë dhe influencues të njohur. Operacioni i gjerë, i zhvilluar nga Prokuroria e Stambollit në bashkëpunim me njësitë e Xhandarmërisë, çoi në shoqërimin e 19 personave të njohur publikisht.
Në mesin e të thirrurve për hetim është edhe këngëtarja e famshme Hadise Açıkgöz, e cila përfaqësoi Turqinë në Eurovizion me hitin Düm Tek Tek. Pas daljes nga godina e xhandarmërisë, artistja reagoi në rrjete sociale duke shkruar: “Jam po aq e hutuar sa ju”, ndërsa më pas publikoi imazhe nga një koncert i mbajtur në Ankara.
Burime turke raportojnë se ndër personazhet e pyetur janë edhe aktorë të njohur si Demet Evgar, Mert Yazıcıoğlu, Özge Özpirinçci, Kaan Yıldırım, Kubilay Aka, Berrak Tüzünataç dhe Meriç Aral, përveç çiftit të influencuesve Ölans dhe këngëtares İrem Derici.
Sipas mediave lokale, hetimi ka për qëllim të zbardhë nëse të përfshirët kanë konsumuar apo shpërndarë substanca narkotike, ndërsa analizat mjekësore do të përcaktojnë natyrën e përfshirjes së tyre.
Avokatja e njohur Sevinç Horoz, që përfaqëson një nga personazhet e përfshirë, ka deklaruar për mediat se klientja e saj është e gatshme t’u nënshtrohet çdo prove shtesë: “Testet e mëparshme kanë rezultuar negative. Nuk ka asnjë provë që e lidh me përdorimin e drogës.”
Operacioni, që po udhëhiqet nga Zyra për Krime Ekonomike, Narkotikë dhe Kontrabandë e Stambollit, është cilësuar si një nga më të mëdhenjtë ndaj botës së famës në Turqi vitet e fundit. Autoritetet turke kanë paralajmëruar se hetimet do të thellohen, duke mos përjashtuar mundësinë e arrestimeve të tjera në ditët në vijim.