
Një histori që ka tronditur Italinë rikthehet në qendër të vëmendjes me zhvillime dramatike. Prokuroria e Bergamos ka kërkuar burgim të përjetshëm dhe gjashtë muaj izolim të plotë për Monia Bortolotti, 29 vjeç, nënën nga Pedrengo (provinca e Bergamos) të akuzuar për vrasjen e dy fëmijëve të saj të mitur, Alice dhe Mattia Zorzi.
Dy foshnjat, përkatësisht 4 muajshe dhe 2 muajshe, u mbytën me një distancë prej rreth një viti nga njëra-tjetra. Sipas hetimeve, Mattia do të ishte mbytur përmes përqafimit të fortë të nënës, ndërsa Alice mund të jetë asfiksuar me jastëk, ndonëse autopsia nuk dha prova të plota. Fillimisht, vdekjet u konsideruan si raste natyrale, por pas vdekjes së dytë, dyshimet e karabinierëve çuan në një hetim të gjerë që zbuloi një skenar shumë më të errët.
Gjatë seancës gjyqësore të mbajtur më 12 shtator, prokurorja Maria Esposito kërkoi dënimin maksimal, duke e cilësuar Bortolottin “plotësisht të aftë për të kuptuar dhe drejtuar veprimet e saj” në momentin e krimeve.
“Ky dënim është i domosdoshëm,” -deklaroi ajo, “sepse nuk mund të lejojmë që të shuhet edhe zëri i fundit i Alice dhe Mattia, dy foshnjave të pafajshme që vdiqën pa faj.”
Prokuroria e përshkruan 29-vjeçaren si manipulative dhe e ftohtë, që do të kishte mashtruar mjekët psikiatër dhe familjarët, duke ndryshuar versionet e saj në mënyrë të qëllimshme dhe pa treguar kurrë pendesë.
Rasti i Monia Bortolottit ka ndarë edhe ekspertët e mjekësisë ligjore. Një prej raporteve psikiatrike e përshkruan si të paaftë për të dalluar të drejtën nga e gabuara, për shkak të depresionit të rëndë dhe çrregullimeve psikopatike të varura nga humori.
Në të kundërt, ekspertët e akuzës e vlerësuan se ajo vuante nga një çrregullim i personalitetit me tipare narcisiste dhe borderline, por jo në atë masë sa të humbiste arsyen në momentin e krimit.
Aktualisht, gruaja ndodhet në qendrën psikiatrike të sigurisë (REMS) në Castiglione delle Stiviere, ku u transferua pas një periudhe paraburgimi.
Në proces dolën në dritë edhe plagët e vjetra të fëmijërisë së Monias. Me origjinë indiane, ajo kishte jetuar deri në moshën 2-vjeçare në një jetimore në Kalkutë, përpara se të adoptohej nga një familje në Bergamo. Marrëdhëniet me nënën adoptuese ishin të vështira dhe të mbushura me konflikte, duke e lënë vajzën në një gjendje të brishtë emocionale.
Avokatët e saj kanë kërkuar lirimin për shkak të paaftësisë mendore, ose në rast të dytë, zbutje të dënimit për rrethana të jashtëzakonshme. Ata argumentojnë se gruaja ka vepruar nën ndikimin e një krize të rëndë psikike, pa vetëdije të plotë për aktet e saj.
Në përfundim të procesit që ka zgjuar emocione të thella në opinionin publik italian, gjykata e Bergamos do të japë vendimin më 17 nëntor 2025. Ky rast mbetet një ndër më të errëtit e viteve të fundit në Itali, një nënë e re, dy fëmijë të pafajshëm dhe një shoqëri e tërë që kërkon të kuptojë kufirin mes çmendurisë dhe krimit.