
Një fotografi e realizuar në një kamp refugjatësh në Siri është shndërruar në simbolin më prekës të pafajësisë përballë luftës. Vajza katërvjeçare, e quajtur Hudea, ngriti duart në ajër nga frika, duke menduar se fotografi që i afrohej, mbante një armë.
Ngjarja ndodhi në vitin 2014, kur fotoreporteri turk Osman Sagirli po dokumentonte jetën e refugjatëve sirianë. “Ajo nuk tha asgjë. Vetëm ngriti duart dhe mblodhi buzët, si për të mos qarë. E kuptova menjëherë që kishte menduar se aparati im ishte armë,” -ka treguar Sagirli më vonë për mediat ndërkombëtare.
Fotografia u shpërnda fillimisht nga gazetarja palestineze Nadia Abu Shaban në Twitter dhe brenda pak ditësh u bë virale në gjithë botën, duke shkaktuar reagime të forta emocionale.
Në imazhin e thjeshtë por tronditës, shumë njerëz panë më shumë se një vajzë të frikësuar, panë fëmijërinë e vjedhur nga lufta, pafajësinë e vrarë dhe frikën që mbetet në sytë e atyre që rriten mes shpërthimeve.
Sot, askush nuk e di me siguri se ku ndodhet Hudea. Por fotografia e saj mbetet një kujtesë e gjallë e tragjedisë siriane dhe e fëmijëve që rriten në hije armësh.
Një imazh i vetëm, që i tregoi botës se ndonjëherë, një vajzë katërvjeçare mund të flasë më shumë për luftën se çdo politikan apo raport ndërkombëtar.