
Presidenti francez vlerëson ministrin si figurë të qëndrueshme pas dorëheqjes së tij nga Matignon
Pas dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit, Sébastien Lecornu ka fituar një valë të papritur simpatish në skenën politike franceze. Një intervistë e tij e fundit në edicionin e mbrëmjes së France 2 është përshkruar nga analistët si i ekuilibruar, i kthjellët dhe i përkushtuar ndaj interesit publik, një kontrast i dukshëm me tensionet dhe përçarjet që kanë karakterizuar politikën franceze muajt e fundit.
Pavarësisht dorëheqjes, Emmanuel Macron duket se nuk dëshiron ta lërë Lecornu të largohet plotësisht nga skena politike. Burime pranë Elizeut pohojnë se presidenti e sheh atë si një figurë të qetë, të besueshme dhe të aftë për të ruajtur stabilitetin në kohë turbulencash politike.
Macron, nuk e ka braktisur idenë që Lecornu të mbetet pjesë e ekipit drejtues, madje disa këshilltarë kanë lënë të kuptohet se ai mund të rikthehet në një pozicion të ri brenda qeverisë.
Sébastien Lecornu, për një kohë të gjatë i njohur për stilin e tij diskret dhe për shmangien e ekspozimit mediatik, është shfaqur tani si një figurë që përfaqëson qetësinë dhe profesionalizmin, dy cilësi që, sipas komentatorëve francezë, po mungojnë në politikën aktuale.
Analistët kanë vënë në dukje se kjo periudhë e pas-dorëheqjes mund të shënojë një rilindje politike për Lecornu, që mund të kthehet sërish në skenë si njeri i besuar i presidentit Macron.
Në një klimë politike të trazuar, me ndarje të thella në kampin qeveritar, Macron e konsideron Lecornu- si një figurë që mund të ndihmojë në rindërtimin e një ekuilibri të brendshëm dhe ndoshta, si një kartë e vlefshme për fazën e ardhshme të presidencës së tij.