
Kapiteni i Egjiptit kalon legjendat Drogba dhe Eto’o, duke shënuar rekord historik me 20 gola
Ylli egjiptian Mohamed Salah ka vendosur një tjetër rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Me dy golat e shënuar në fitoren 3-0 ndaj Xhibutit, në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026, kapiteni i kombëtares së Egjiptit, jo vetëm që i siguroi skuadrës kualifikimin e katërt historik në Botëror, por u shpall edhe golashënuesi më i mirë afrikan në historinë e kualifikimeve të Kupës së Botës, me plot 20 gola.
Ky rekord i lejon Salahut të kalojë emra të mëdhenj të futbollit afrikan si Didier Drogba, Samuel Eto’o dhe Islam Slimani, të cilët kishin ndalur në kuotën e 18 golave. Ajo që e bën arritjen edhe më të veçantë është fakti se Salah e arriti këtë numër në vetëm 37 ndeshje, shumë më pak sesa rivalët e tij legjendarë.
Aktualisht, sulmuesi i Liverpool kryeson renditjen e golashënuesve të Afrikës për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 me 9 gola, duke lënë pas Denis Bouanga të Gabonit me 8 gola. Ai ka tejkaluar gjithashtu bashkëkombasin Mohamed Aboutrika (14 gola), duke u bërë golashënuesi më i mirë i historisë së Egjiptit në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës.
Në moshën 33-vjeçare, Salah vazhdon të shkruajë faqe të reja në historinë e futbollit afrikan, duke u vendosur në nivelin e legjendave që kanë frymëzuar breza të tërë lojtarësh.
“Top 8” golashënuesit më të mirë afrikanë në kualifikueset e Kupës së Botës
- Mohamed Salah (Egjipt) – 20 gola
- Islam Slimani (Algjeri), Didier Drogba (Bregu i Fildishtë), Samuel Eto’o (Kamerun) – 18 gola
- Beli Moumouni Dagano (Burkina Faso) – 17 gola
- Emmanuel Adebayor (Togo) – 16 gola
- Dennis Oliech (Kenia) – 15 gola
- Mohamed Aboutrika (Egjipt) – 14 gola
- Amr Hassan Zaki (Egjipt) – 12 gola
- Michael Olunga (Kenia) – 11 gola
Me këtë ritëm, Salah jo vetëm që po forcon pozitat e tij si lojtari më i mirë afrikan i dekadës, por edhe si një nga golashënuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit botëror.