
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, në krye të detyrës, në mes të sallës së gjyqit, teksa po jepte vendimin e marrë, ka shkaktuar reagime të shumta, duke sjellë dhe kërkesa të kolegëve të tij për sigurinë e tyre. Në rubrikën “Përballë Lajmit” në Klan News, me gazetarin Besard Jacaj, ishte i ftuar ish-Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, për të folur lidhur me problemet që mundojnë profesionin e magjistratëve në vendin tonë. Balla, propozoi që aktorëve të drejtësisë të pajisen me armë personale për vetëmbrojtje.
“Të paktën t’u japim ndonjë armë, siç e kemi pasur dikur në kohë. Arma të bën trim, edhe ty si gjyqtar e prokuror. Deri në kohën e Saimir Tahirit ka qenë ligji që gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore e kishin organikë armën”, tha ai. Më tej, Balla e krahasoi këtë propozim me rastin e oficerëve amerikanë që janë të pajisur me armë edhe jashtë orarit të shërbimit, apo dhe në vendin tonë si ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Ke oficerët e policisë gjyqësore, si mund t’i çosh në vendngjarje? Pastaj, amerikanët budallenj janë? Edhe BKH-ja, femra e meshkuj janë të pajisur me armë. Është njësoj si FBI-ja”, tha ai. Sipas Ballës, nuk e konsideron rikthimin e armëve me detyrim, por si një sigurim shtesë për jetën e gjyqtarëve apo prokurorëve, për të gjithë ata që e kanë si dëshirë dhe e ndjejnë të nevojshme. “Unë personalisht jam për rikthimin e armëve, kush do, jo me detyrim”, tha ai. Sakaq, është mbajtur një mbledhje e posaçme e 260 gjyqtarëve nga të gjitha rrethet gjyqësore në vend. Ata kërkuan ngritjen e një grupi ndërinstitucional për sigurinë gjyqësore. Kushtet e punës së gjyqësorit ishin një tjetër pikë që u prek nga deklarata e përbashkët e gjyqtarëve, mbajtur këtë të enjte në Polin e Drejtësisë. “Krijimi i një grupi ndërinstitucional, me përfaqësim nga KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese për organizimin e një forumi kombëtar për sigurinë gjyqësore. Vendosja e një force të posaçme sigurie në gjykata dhe ndërtimi i protokolleve të reagimit ndaj incidenteve. Miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, tha Albana Boksi, gjyqtare. Këto kërkesa nga magjistratët erdhën pas vrasjes në krye të detyrës së kolegut të tyre, Astrit Kalaja, për të cilin kërkuan shpalljen “Dëshmor i atdheut”, ndërsa ngjarjen e cilësuan të paralajmëruar. “Ngjarja e rëndë është pasojë e një klime të helmuar fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, e ushqyer nga gjuha e urrejtjes dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme që kanë minuar besimin publik. Kjo klimë duhet marrë fund”, tha Boksi. Theksojmë, se kryefjala e takimit mes gjyqtarëve ishte forcimi i rendit dhe sigurisë në ambientet e gjykatave të vendit.