
Moska falënderon presidentin amerikan për rolin në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Rusia ka deklaruar se do të mbështesë kandidaturën e Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes, nëse ai arrin të përmbyllë me sukses marrëveshjen për ndalimin e luftës në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore ruse TASS, që citoi ndihmësin e Kremlinit, Yuri Ushakov.
“Rusia do ta mbështeste pa hezitim kandidaturën e presidentit amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes,” u shpreh Ushakov të premten, duke e quajtur përpjekjen e tij për armëpushim një hap real drejt stabilitetit.
Fituesi i Çmimit Nobel të Paqes për vitin 2025 do të shpallet në orën 09:00 GMT, megjithëse vëzhguesit ndërkombëtarë e konsiderojnë shumë të pamundur që Trump të jetë përzgjedhja e këtij viti.
Rusia ka falënderuar disa herë presidentin amerikan për nismat e tij diplomatike në drejtim të përfundimit të luftës në Ukrainë. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se do ta mbështeste nominimin e Trump për Nobel nëse ai arrin të sigurojë një armëpushim të qëndrueshëm mes dy vendeve.
Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë pasi Trump njoftoi një plan të ri paqeje me 20 pika për Ukrainën dhe Rusinë, që përfshin ndalimin e menjëhershëm të luftimeve, shkëmbimin e të burgosurve dhe garantimin e neutralitetit ushtarak të Kievit.
Megjithëse mbështetja e Kremlinit shihet me skepticizëm nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar, ajo tregon përpjekjet e Rusisë për të paraqitur Trampin si një ndërmjetës të fuqishëm dhe për të thelluar perceptimin e tij si arkitekt i paqes në arenën globale.