
Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë sërish këtë të premte, ndërsa Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka njoftuar se do të caktojë një datë të re për zhvillimin e seancës paraprake.
Sipas burimeve pranë SPAK, hetimet ndaj Veliajt janë mbyllur dhe dosja tashmë është dërguar për gjykim. Në përfundim të hetimit disa mujor, Prokuroria e Posaçme ka ngritur 13 akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe 12 të tjera ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, të cilët akuzohen për përfitime të paligjshme dhe abuzim me detyrën në bashkëpunim.
Sipas dokumenteve hetimore, çifti Veliaj–Xoxa dyshohet se në të paktën nëntë raste të veçanta kanë marrë përfitime financiare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani private dhe organizata jofitimprurëse, të cilat më pas kanë përfituar leje ndërtimi, fonde publike ose kontrata bashkiake.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se në disa episode, vetë kryebashkiaku ka nënshkruar vendime për shpërndarjen e fondeve që më pas kanë përfunduar në organizata të lidhura me bashkëshorten e tij apo persona të afërt me të.
SPAK pretendon se ka siguruar prova të mjaftueshme që vërtetojnë lidhjen midis vendimeve administrative dhe përfitimeve të drejtpërdrejta të marra nga familjarë të kryebashkiakut. Po ashtu, hetimi ka zbuluar edhe raste ku subjekte ndërtimore, pasi kanë marrë miratimin për projekte nga Bashkia Tiranë, kanë transferuar më pas prona apo fonde në favor të individëve të lidhur me çiftin Veliaj–Xoxa.
Sipas dispozitave të Kodit Penal, vepra penale për të cilën akuzohet kryebashkiaku përfshin shpërdorimin e detyrës dhe marrjen e përfitimeve të parregullta për shkak të funksionit publik, ndërsa kompanitë e përfshira në dosje akuzohen për dhënie përfitimesh të paligjshme ndaj personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
Në pritje të seancës së radhës, mbrojtja e Veliajt ka kërkuar kohë shtesë për të paraqitur provat kundërshtuese dhe për të kërkuar pavlefshmërinë e disa akteve të hetimit.
Procesi gjyqësor pritet të jetë një nga më të ndjekurit e këtij viti, pasi për herë të parë një kryebashkiak në detyrë i Tiranës përballet me një sërë akuzash të drejtpërdrejta nga SPAK për korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim të pasurisë.