
Një dëshmi e re ka tronditur sot sallën e Gjykatës në Prishtinë, ku po zhvillohet procesi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen makabre të Liridona Ademajt. Sipas dëshmitarit të Prokurorisë, Florian Avdija, vetëm pak orë pas ekzekutimit të gruas së re, një prej të pandehurve, Granit Plava, është parë duke u argëtuar në një klub nate.
“Kam deklaruar në polici se e kam parë Granitin atë natë në një klub, rreth orës 12 të natës,” -tha Avdija gjatë dëshmisë, duke shtuar se zotëron edhe video-incizim të momentit, të cilin e kishte dërguar bashkëshortja e tij Leonora dhe që tashmë është në duart e hetuesve.
“Leonora ma ka dërguar videon atë natë. Aty shihet Graniti me një vajzë tjetër,” -shtoi dëshmitari.
Në dëshminë e tij, Avdija tregoi se të tre të akuzuarit ishin klientë të njohur të lokalit të tij familjar: “Naim Murseli ka qenë disa herë në lokalin tim, ndoshta 8 ose 10 herë, ndërsa Graniti dhe Kushtrimi ishin klientë të rregullt.”
Ky detaj tronditës, fakti që një prej të dyshuarve për vrasje ka shkuar në klub nate vetëm orë pas krimit, ka ngritur dyshime të reja për qetësinë e pazakontë të të akuzuarve dhe përpjekjet e mundshme për të krijuar alibi pas ngjarjes.
Procesi gjyqësor ndaj Murselit, Plavës dhe Kokallës pritet të vazhdojë me dëshmitë e reja të propozuara nga Prokuroria, teksa familja e Liridona Ademajt kërkon drejtësi për ngjarjen që ka tronditur mbarë opinionin publik.