
Pas më shumë se një muaji bllokimi institucional, Kuvendi i Kosovës pritet të rikthehet sot në funksionim. Seanca konstituive do të mbahet në orën 10:00, me qëllim përmbylljen e procesit që kishte mbetur pezull që nga 15 prilli.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Kuvendit, në rendin e ditës është vetëm një pikë: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, një pozicion që mbeti vakant dhe pengoi konstituimin e plotë të legjislaturës.
Vendimi për thirrjen e seancës vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb. Gjykata theksoi se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Seanca e fundit, e zhvilluar më 30 gusht, ishte përmbyllur nga kryetari Dimal Basha pa arritur zgjedhjen e nënkryetarit, çka solli një ngërç institucional që zgjati për më shumë se 30 ditë.
Rikthimi i Kuvendit sot pritet të mbyllë këtë periudhë pezullie dhe të hapë rrugën për funksionimin e plotë të institucioneve të reja.