
Pas më shumë se tre dekadash debates shkencore dhe fetare, mbulesa e famshme e Torinos, që besohet se mbështolli trupin e Krishtit pas kryqëzimit, rikthehet në qendër të vëmendjes me një sfidë që po trondit botën akademike. Studiuesi britanik David Rolfe, i cili dikur u bë i krishterë, pas hulumtimeve mbi reliken, i ka ofruar 1 milion dollarë Muzeut Britanik, nëse arrin të rikrijojë me të njëjtën teknikë mbulesën që u datua si falsifikim mesjetar në vitin 1988.
Sipas Rolfe, testet e karbonit-14 të kryera atëherë, nën mbikëqyrjen e Universitetit të Oksfordit dhe Muzeut Britanik, ishin të gabuara, pasi kampioni u mor nga një qoshe e riparuar e pëlhurës, e cila nuk përfaqësonte materialin origjinal. “Nëse ata janë aq të bindur se është vepër mashtrimi, atëherë le ta përsërisin eksperimentin dhe ta bëjnë një të tillë sot. Nëse ia dalin, 1 milion dollarë janë të tyre,” -deklaron ai në filmin e tij të ri “Who Can He Be?”.
Rolfe argumenton se asnjë teknologji mesjetare nuk mund të prodhonte imazhin tredimensional të trupit të një njeriu të kryqëzuar me detaje anatomike të sakta, si ato që shfaq mbulesa. Ai pretendon se figura në pëlhurë mund të jetë formuar nga një shpërthim rrezatimi në një fraksion sekonde, diçka që, sipas tij, sfidon çdo shpjegim natyror.
Fotografi amerikan Barrie Schwortz, që e dokumentoi mbulesën në vitin 1978, e mbështet këtë skepticizëm. “Sot ekzistojnë të paktën gjashtë studime shkencore që kundërshtojnë rezultatet e datimit me karbon. Ato teste u nxitën për të bërë histori – jo për të gjetur të vërtetën,” -tha ai.
Ndërkohë, përfaqësues të Muzeut Britanik janë shprehur se çdo pyetje aktuale për mbulesën duhet t’i drejtohet kujdestarëve të saj në katedralen e Torinos, duke shmangur përfshirjen në debat.
Por për Rolfe, kjo heshtje është pranim në vetvete: “Nëse mbulesa është falsifikim, atëherë është më i jashtëzakonshmi që ka ekzistuar ndonjëherë, një vepër që as sot, me gjithë shkencën moderne, askush nuk arrin ta përsërisë.”
Kështu, një relike e lashtë që për disa është “ikonë hyjnore” e për të tjerë “mashtrim shekullor”, po ringjall betejën e përjetshme mes besimit dhe shkencës dhe këtë herë, me 1 milion dollarë në peshore.