
Një raport tronditës i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se shkatërrimi masiv në Rripin e Gazës do të ketë pasoja që do të zgjasin për dekada, ndërsa mijëra palestinezë po kthehen në veri të territorit dhe gjejnë vetëm rrënoja në vend të shtëpive të tyre.
Eksperti i posaçëm i OKB për të drejtën e strehimit, Balakrishnan Rajagopal, deklaroi se situata në Gaza është psikologjikisht shkatërruese dhe se trauma që po përjetojnë banorët është e papërshkrueshme. “Njerëzit po kthehen në një vend që nuk ekziston më, është si të ecësh mbi varret e shtëpive të tua,” u shpreh ai.
Sipas të dhënave të OKB, 92 % e ndërtesave rezidenciale në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar, ndërsa qindra mijëra persona po jetojnë në tenda ose struktura të improvizuara. Rajagopal kërkoi që Izraeli të lejojë menjëherë futjen e tendave dhe karavanëve në territor, duke theksuar se ndihmat humanitare nuk mund të hyjnë për shkak të bllokadës së ashpër izraelite.
“Edhe ndihma më e thjeshtë nuk mund të arrijë tek njerëzit, derisa Izraeli të ndalojë kontrollin absolut të çdo pike hyrëse,” tha ai, duke e cilësuar situatën si zemra e krizës.
Eksperti i OKB e quajti shkatërrimin e banesave në Gaza një “domicid”, pra shkatërrim sistematik të hapësirës së banimit dhe theksoi se ky veprim është pjesë thelbësore e asaj që ai e përshkroi si gjenocid ndaj popullit palestinez.
“Rrafshimi i shtëpive, dëbimi i popullsisë dhe kthimi i tokës në një vend të pabanuar janë mënyrat kryesore përmes të cilave po kryhet ky akt,” shtoi ai.
Rajagopal paralajmëroi se rindërtimi i Gazës do të kërkojë breza të tërë, duke e krahasuar situatën me Nakbën e vitit 1948, kur qindra mijëra palestinezë u dëbuan nga tokat e tyre pas krijimit të shtetit të Izraelit.
“Çfarë ka ndodhur në dy vitet e fundit është një tjetër Nakba,” tha ai. “Një shkatërrim i plotë, fizik dhe shpirtëror, që do të lërë plagë të pashërueshme për shumë gjenerata.”