
Procesi zgjedhor zhvillohet në 38 komuna, përfshirë edhe veriun e vendit, ndërsa institucionet bëjnë thirrje për pjesëmarrje të lirë dhe pa ndikime politike.
Në Kosovë po zhvillohen sot zgjedhjet lokale për kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e kuvendeve komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00 në të gjitha komunat e vendit.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në shkallë vendi janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime. Në total, të drejtë vote kanë 2.069.098 qytetarë brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë të tjerë janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës, një proces që nisi më 17 shtator dhe përfundoi më 11 tetor.
Zgjedhjet po mbahen në të gjitha 38 komunat e Kosovës, përfshirë edhe komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, të cilat për më shumë se dy vjet janë drejtuar nga kryetarë shqiptarë pas dorëheqjeve të përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor 2022.
Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka paraqitur kandidatë në të gjitha dhjetë komunat me shumicë serbe, përfshirë Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin, Graçanicën dhe Shtërpcën. Përveç saj, garojnë edhe disa parti të tjera serbe si Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, si dhe disa iniciativa qytetare.
Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm dhe pa ndikime politike, duke e cilësuar këtë proces si një moment të rëndësishëm për forcimin e demokracisë lokale dhe përfaqësimit qytetar në vend.