
Pas arritjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, presidenti amerikan do të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar në Egjipt dhe më pas do të vizitojë Izraelin për takime simbolike me familjet e pengjeve.
Presidenti amerikan Donald Tramp do të udhëtojë të hënën drejt Egjiptit për të marrë pjesë në një samit paqeje të organizuar nga presidenti Abdel Fattah al-Sisi, ku do të marrin pjesë drejtues të mbi 20 vendeve nga e gjithë bota. Samiti pritet të shënojë fillimin zyrtar të procesit të zbatimit të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, një marrëveshje që Trump e ndërmjetësoi personalisht pas javësh negociatash intensive.
Sipas burimeve diplomatike amerikane, Tramp do të udhëtojë më pas drejt Jerusalemit, ku do të mbajë një fjalim para Knessetit dhe do të takohet me familjet e pengjeve izraelite, lirimi i të cilëve pritet të nisë që të hënën në mëngjes. Vizita e tij shihet si një akt i fortë simbolik në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.
Mediat amerikane i kanë dhënë Trampit meritat kryesore për suksesin e këtij armëpushimi historik, duke e cilësuar atë si presidentin e vetëm amerikan që ka arritur të detyrojë një kryeministër izraelit të pranojë një plan paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Ish-diplomati Aaron David Miller, një nga ekspertët më të njohur të konfliktit izraelito-palestinez, tha: “Kam punuar për gjashtë administrata, nga Carter tek Bush, dhe asnjë president nuk ka pasur sukses të tillë në shtyrjen e Izraelit drejt kompromisit.”
Para Trampit, administrata e Joe Biden kishte dështuar të arrinte një marrëveshje të ngjashme, megjithëse kishte përdorur të njëjtat parime në draftin e saj. Diferenca, sipas analistëve, qëndron në qasjen e Trampit një përzierje presioni të fortë diplomatik dhe premtime konkrete ekonomike për rindërtimin e Gazës pas konfliktit.
Vizita e presidentit amerikan në Lindjen e Mesme pritet të shërbejë si një sinjal i qartë për rolin e tij të rikthyer në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjen e Shtëpisë së Bardhë për të pozicionuar SHBA si garantuesin kryesor të stabilitetit në rajon.