
Trump pritet të udhëtojë në Izrael dhe Egjipt për samitin e paqes në Sharm El-Sheikh
Në Tel Aviv, qindra mijëra qytetarë izraelitë janë mbledhur në një tubim të madh shprese dhe solidariteti, në prag të lirimit të shumëpritur të pengjeve izraelite që prej dy vitesh mbahen nga Hamas.
Duke folur para turmës, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, deklaroi se pengjet po kthehen në shtëpi dhe falënderoi presidentin amerikan Donald Tramp për ndërmjetësimin në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve.
Ndërkohë, zyrtarë palestinezë në Gaza raportuan se rreth 500 mijë persona janë kthyer në veri të enklavës, zonë e shkatërruar pas tërheqjes së forcave izraelite gjatë dy ditëve të fundit.
Egjipti ka njoftuar se të hënën do të zhvillohet në Sharm El-Sheikh një samit ndërkombëtar për finalizimin e marrëveshjes së paqes. Më shumë se 20 liderë botërorë pritet të marrin pjesë, përfshirë Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Sir Keir Starmer.
Trump pritet të vizitojë fillimisht Izraelin përpara udhëtimit drejt Egjiptit, ndërsa vajza e tij, Ivanka Trump, dhe dhëndri Jared Kushner iu drejtuan me një fjalim emocionues pjesëmarrësve në tubimin e së shtunës në Tel Aviv.
Sipas marrëveshjes së shpallur të enjten, Hamas ka afat deri të hënën në mesditë (ora 12:00 lokale) për të liruar të gjithë 48 pengjet që ende mban. Nga këta, rreth 20 dyshohet se janë ende gjallë.
Një zyrtar i Hamasit, Osama Hamdan, tha se shkëmbimi i të burgosurve pritet të nisë të hënën në mëngjes, sipas planit të rënë dakord, pa asnjë ndryshim në afat.
Në terren, militantët e Hamasit ende nuk kanë komunikuar logjistikën e dorëzimit, por pritjet janë të mëdha.
Aviv Havron, një nga pjesëmarrësit në tubim, që humbi familjarë gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023, tha : “Është shumë e rëndësishme për ne që pengjet të kthehen. Pa ta, jeta nuk mund të rifillojë. Vetëm atëherë mund të flasim për paqe.”