
Dy motra adoleshente vrasin për qejf një të moshuar në Londër: Historia e errët e vajzave të shkollës që u kthyen në vrasëse
Një ngjarje shokuese ka tronditur opinionin publik në Britani: dy motra adoleshente, 14 dhe 16 vjeçe, bashkë me një shoqe 17-vjeçare, kanë vrarë për qejf një burrë të moshuar në Londër; një sulm i pakuptimtë dhe brutal, që është cilësuar nga hetuesit si një nga krimet më të neveritshme të kryera ndonjëherë nga të mitura.
Viktima, Fredi Rivero, 75 vjeç, një ish-punonjës hoteli në Mayfair dhe praktikues budist, u sulmua në rrugën Seven Sisters, ndërsa priste autobusin për në shtëpi. Sipas pamjeve të sigurisë, vajzat e shtynë, e goditën dhe i hoqën syzet për ta bërë më të pambrojtur, para se ta godisnin me grushte derisa ra pa ndjenja. Ai vdiq një ditë më vonë në spital nga plagët në kokë.
Hetimi zbuloi se motrat, dikur nxënëse të rregullta dhe të buzëqeshura, kishin rënë në një spirale dhune, droge dhe alkooli, nën ndikimin e një babai të dhunshëm dhe të varur nga kokaina, i cili aktualisht vuan një dënim prej 20 vitesh burg për tentativë vrasjeje. Nëna e tyre, sipas fqinjëve, kishte humbur kontrollin dhe banesa ishte kthyer në shtëpi feste e drogës.
Gjatë gjyqit në “Old Bailey”, tri vajzat pranuan akuzën për vrasje të pavullnetshme. Gjykatësja Judy Khan KC i dënoi me gjithsej nëntë vite burgim: 4 për vajzën 17-vjeçare, 3 e gjysmë për të madhën dhe 2 e gjysmë për të voglën. Ato nuk mund të identifikohen për shkak të moshës.
Policia Metropolitane deklaroi se ngjarja ishte një sulm plotësisht i paprovokuar ndaj një njeriu që thjesht po kthehej në shtëpi. Pamjet e konfiskuara nga telefonat e tyre tregonin video të mëparshme ku vajzat filmonin sulme të dhunshme ndaj të pastrehëve dhe kalimtarëve, duke qeshur dhe duke i shpërndarë në rrjete sociale.
E bija e viktimës, në një deklaratë emocionale, u shpreh: “Këto vajza i morën jetën një njeriu që nuk do t’i bënte keq askujt. Nuk mund ta kuptoj si mund të jenë në rrugë vajza të kësaj moshe në mesnatë. Babai im meritonte qetësi, jo dhunë.”
Krimi ka ndezur debat të fortë në Britani mbi edukimin, dhunën tek të rinjtë dhe ndikimin shkatërrues të prindërve të dhunshëm e varësisë ndaj drogës në fatin e fëmijëve. “Ato ishin fëmijë dikur të sjellshëm, por pa asnjë shans për shpëtim,” tha një fqinj i familjes. “Sot janë pas hekurave, ashtu si babai që u shkatërroi jetën.”