
Migjeni: Poeti i shpirtit të vrarë dhe i qytetit të ngrirë në dhimbje
Në Shkodrën e ftohtë të viteve të varfërisë e të mjegullës, mes rrugicave ku jetonin uria, mjerimi dhe shpresa, lindi më 13 tetor 1911 një zë që s’iu bind kurrë heshtjes. Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni, qe poeti që guxoi ta shihte botën pa perde, me sytë e një njeriu që e njihte dhimbjen, por nuk iu përkul asaj. Ai nuk pranoi ta shihte jetën përmes luleve të vargëzuara, por përmes plagëve të saj të hapura. Nuk e zbukuroi dhimbjen, e shkroi ashtu siç ishte: e zhveshur, therëse, e vërtetë.
Në “Vargjet e lira”, Migjeni ngriti një kryq me fjalë për çdo shpirt të lodhur, për çdo uri që nuk ishte vetëm e trupit, por edhe e shpirtit. Aty, njeriu shqiptar nuk ishte më hero i përrallave, por viktimë e fatit, e varfërisë dhe e harresës.
Në “Novelat e qytetit të veriut”, ai i dha fytyrë mjerimit dhe zë heshtjes, rrugëve të ngrira të Shkodrës, dritareve të mbyllura, njerëzve që mbartnin jetën si barrë. Fëmijët janë të uritur, priftërinjtë të lodhur, dashuria e ndaluar dhe kjo e bën qytetin një varg të pafund trishtimi.
Në pak vite jete, Migjeni bëri atë që shumë të tjerë nuk arritën dot në një shekull: ngriti fjalën në thirrje, vargun në dëshmi dhe poetin në ndërgjegje. Ai nuk kërkoi duartrokitje, kërkoi drejtësi. Nuk kërkoi dashuri romantike, kërkoi dashuri njerëzore. Në çdo fjalë të tij, në çdo frymë, ndjehet dëshira për një botë më të drejtë, më njerëzore, më të ndriçuar.
Jeta e tij qe e shkurtër si një frymë, por ajo frymë vazhdon të endet në letërsinë tonë si një erë që nuk ndalet dot. Ai iku i ri, pa e parë dritën e lirisë që ëndërronte, por la pas një tjetër dritë, dritën e mendimit, të shpirtit që nuk pajtohet me padrejtësinë.
Sot, kur kujtojmë Migjenin, nuk kujtojmë vetëm poetin e dhimbjes, por njeriun që deshi të zgjonte një komb. Ai nuk u bë zë për vete, por për të gjithë ata që nuk kishin zë.
Migjeni nuk ishte vetëm poeti i mjerimit, siç deshën ta quajnë ata që donin t’ia kufizonin thellësinë. Ai ishte poeti i përgjithësimeve filozofike, i njeriut që kërkon kuptimin përtej dhimbjes, përtej varfërisë, përtej kohës së vet. Në vargjet e tij jeton pyetja e përjetshme mbi njeriun dhe fatin, mbi hyjnoren dhe kotësinë, mbi dritën që lind nga errësira. Ai nuk u mbyll në dhimbje, e ngriti atë në mendim dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij: Migjeni s’iu përkul realitetit, por e ktheu atë në reflektim të përbotshëm mbi qenien.
I cilësuar si Franz Kafka shqiptar, ai jetoi në kufirin mes ëndrrës dhe ankthit, mes dritës dhe errësirës. Sikurse Kafka, ai e pa botën jo siç duhej të ishte, por siç ishte vërtet: e sëmurë nga padrejtësia, e lodhur nga besimi, e thyer nga uria dhe mungesa e dashurisë. Në çdo rresht të tij gjendet ajo ndjesi kafkiane e absurditetit të ekzistencës, ku njeriu endet mes dëshirës për të jetuar dhe peshës së pamundësisë.
Ai nuk shkroi për të kërkuar mëshirë apo duartrokitje, por për të shkundur ndërgjegjen, për të treguar se mjerimi nuk është vetëm material, por edhe shpirtëror, se skllavëria më e madhe është ajo që njeriu i bën vetes kur pranon të heshtë. Migjeni e shndërroi dhimbjen në filozofi dhe dëshpërimin në art, duke e bërë letërsinë shqiptare një pasqyrë të thellë të njeriut universal.
Migjeni u shua i ri, por fjala e tij vazhdon të digjet si një pishtar që nuk pranon të shuhet; një zë i përjetshëm që na kujton se njeriu mund të bjerë, të vuajë e të heshtë, por sa kohë që fjala e tij frymon, si kujtesë dhe ndërgjegje, ai jeton ende, i pashuar, i përjetshëm, si drita që lind nga dhimbja./përpjekjashqiptare.al
Nga Borea Lisi