
Donald Tramp viziton Izraelin për pesë orë, në kohën kur lëshohet vala e parë e pengjeve të liruar, do të takojë Netanyah, do të flasë në Knesset dhe më pas do të udhëtojë për në Egjipt për bisedime rajonale.
Një mural i madh me mbishkrimin “Thank you” u vendos përgjatë një plazhi në Tel Aviv për të përshëndetur Donald Tramp, i cili mbërriti sot në një vizitë të shkurtër pesë-orëshe në Izrael, ndërsa vendi përjeton lirimin e grupit të parë të pengjeve nga Gaza.
Presidenti amerikan u prit në aeroportin Ben Gurion pak para orës 10:00 lokale nga të afërm të tij ; Ivanka Trump dhe Jared Kushner, si dhe nga kryeministri Benjamin Netanyah. Pas mbërritjes, Trump do të zhvillojë një takim zyrtar me Netanyah, do të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit (Knesset) dhe do të takohet me disa nga pengjet e liruar dhe familjet e tyre.
Burime nga Shtëpia e Bardhë thanë se gjatë udhëtimit në Air Force One, Trump pa pamjet e lirimit të shtatë pengjeve të para; ai u citua duke deklaruar: “The war is over, you understand that?”, një frazë që pasqyron optimizmin e tij për përparimin e negociatave për armëpushim.
Pas takimeve në Izrael, Trump do të udhëtojë për në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku pritet të zhvillojë bisedime me Presidentin Abdel Fattah el-Sisi dhe përfaqësues të mbi 20 vendeve të ndryshme, në përpjekje për të konsoliduar marrëveshjen e armëpushimit dhe procesin e rikuperimit humanitar në Gaza.
Në një postim në X, disa orë para nisjes së vizitës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se ndalimi i një lufte në një pjesë të botës duhet të shërbejë si model për pezullimin e konflikteve edhe në vende të tjera, duke paralajmëruar se Rusia po shfrytëzon fokusin ndërkombëtar mbi Lindjen e Mesme për të shtuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës.
Vizita e Tramp, përveç një momenti diplomatik, është interpretuar si përpjekje për të mbajtur ritmin me zhvillimet e fundit humanitare dhe politike në rajon, veçanërisht pas lajmeve për lirimin e pengjeve dhe nismave ndërkombëtare për të lehtësuar dërgesat e ndihmave dhe rifillimin e bisedimeve paqësore.