
Nënshkrimi i fazës së parë të marrëveshjes: 20 pengjet izraelite liruar nga Gaza, dërgesa e trupave të 28 të vrarëve dhe lirimi i qindra e mijëra të paraburgosurve palestinezë, ndërsa presidenti amerikan njofton “që sot pushkët heshtin”
Në një moment kyç për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, të gjitha 20 pengjet izraelite të mbijetuara në Gaza u liruan si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa presidenti i SHBA, Donald Tramp, mbajti sot një fjalim para Knesset. Sipas raportimeve, një grup i parë prej shtatë pengjesh kishte arritur më parë në Izrael, ndërsa 13 të tjerë u transferuan më pas.
Po ashtu, pritet që gjatë ditës të transferohen mbetjet e 28 pengjeve të vrarë si pjesë e të njëjtit marrëveshjeje. Si pjesë e shkëmbimit, Hamas kishte premtuar lirimin e pengjeve në këmbim të rreth 250 personave me dënime të rënda dhe mbi 1,700 palestinezëve të ndaluar pas sulmeve të 7 tetorit 2023.
Gjatë fjalimit në parlament, Tramp u prit me duartrokitje dhe tha se sot, qielli është i qetë, pushkët heshtin duke e përshkruar momentin si “agim historik për një Lindje të Mesme të re”. Ai nënvizoi rolin që sipas tij administrata amerikane ka luajtur në arritjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve.
Në të njëjtën kohë, rreth 20 shefa shtetesh dhe qeverish u mblodhën për një samit në Sharm el-Sheikh për të diskutuar zbatimin e planit të paqes dhe masat humanitare për Gaza. Midis të pranishmëve sipas raportimeve ishin edhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe krerë të tjerë shtetesh.
Konflikti ka lënë pasoja të rënda: autoritetet shëndetësore në Gaza raportojnë mbi 67,000 të vrarë dhe zona të gjera të shkatërruara; pjesë të veriut të enklavës përballen me kushte afatgjata urie. Në Izrael, rreth 1,200 persona u vranë gjatë sulmeve të 7 tetorit, dhe rreth 250 u morën peng.
Lirimet dhe takimet diplomatike sot përbëjnë hapin e parë të një plani të ndarë në faza, me synimin e ndërtimit të një marrëveshjeje më të gjerë dhe rifillimit të dërgesave humanitare dhe rifillimit të bisedimeve për paqe.