
Pas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, palestinezët e liruar nga burgu përshkruajnë tortura, poshtërime dhe kushte çnjerëzore: “Ishte një thertore”.
Mbi 2 mijë të burgosur palestinezë janë liruar nga Izraeli si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e nënshkruar nën garancinë e Katarit, Egjiptit dhe Turqisë. Marrëveshja, që Presidenti amerikan Donald Trump e quajti “një hap drejt paqes së qëndrueshme”, ka sjellë një përzierje emocionesh, gëzim për lirinë dhe tmerr për kujtimet e mbetura pas hekurave.
Të liruarit kanë treguar se janë përballur me dhunë sistematike, uri dhe poshtërime të përditshme në qelitë izraelite, të cilat i përshkruajnë si “thertore njerëzore”. Disa prej tyre kanë rrëfyer se janë mbajtur në errësirë për javë të tëra, të zhveshur, të rrahur dhe të privuar nga ushqimi e uji.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, rreth 154 të burgosur palestinezë janë deportuar në Egjipt menjëherë pas lirimit, ndërsa pjesa tjetër është kthyer në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Në kuadër të të njëjtës marrëveshje, Hamasi ka liruar 20 pengjet e fundit izraelite të mbetura gjallë dhe ka dorëzuar trupat e katër të tjerëve.
Në të njëjtën kohë, bilanci i luftës së Izraelit në Gaza mbetet tragjik: mbi 67,800 të vrarë dhe më shumë se 170,000 të plagosur që prej tetorit 2023. Nga ana izraelite, sulmet e 7 tetorit 2023 shkaktuan 1,139 viktima dhe rreth 200 pengje.
Ndërsa palestinezët përpiqen të rikthehen në jetën e lirë, shumë prej tyre mbartin plagë të rënda, jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore. Një ndër të burgosurit që ende mbahet në qeli është mjeku palestinez Hussam Abu Safia, drejtor i një spitali në Gaza, i rrëmbyer nga ushtria izraelite në dhjetor 2024.
Avokati i tij pohon se ai është torturuar dhe mbajtur pa gjyq, ndërsa organizatat ndërkombëtare kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij, duke e cilësuar si simbol të qëndresës së mjekëve palestinezë që kanë punuar nën bombardime për më shumë se dy vjet.
Megjithëse marrëveshja e fundit u përshëndet si fitore diplomatike, rrëfimet e të liruarve tregojnë se plagët e luftës dhe të burgjeve nuk mbyllen me nënshkrimin e një dokumenti, ato vazhdojnë të jetojnë në trupat dhe kujtimet e tyre.