Aktualitet Qifti

Ju flet Qifti: Lamtumira që ju kushton shtrenjtë!

Shtatori vjen me lajmin që 82 deputetëve u mbaron mandati dhe, meqë vota e 11 majit nuk i deshi, nuk do ta shohin më Kuvendin nga brenda… Por, kur i thonë “lamtumirë!” deputetllëkut, nuk do të thotë se i kanë thënë “lamtumirë!” edhe buxhetit të taksapaguesëve që nuk e votuan.

155,000 lekë në muaj për tre vite. Kaq do të marrin ish-deputetët tanë të ndarë nga karrigia, por jo nga privilegji. Dhe, për t’i bërë gjërat më “të ëmbla”, ligji (që kanë bërë vetë) i shpërblen (!!!) edhe me dy paga të plota në momentin që lënë detyrën.

45 prej tyre vijnë nga lista e Edi Ramës, 34 nga lista e Luli Berishës dhe 3 nga lista e Tom Doshit.

Pra, në total: një fushatë e madhe mirëqenieje për ish-deputetët! Pa dallime politike.

Ndërkohë, ju qytetarët e zakonshëm e dini mirë që, kur humbet punën, s’ka pagë. As për një muaj, e jo më për tre vjet. Ligjbërësit nuk e kanë bërë një ligj të tillë për ju, por, si askund tjetër, kanë bërë një sistem që e shpërblejnë me një bujari të paparë, vetëm veten e tyre!

Ky “exit bonus”, në kurriz të ju taksapaguesve bën fjalë për miliona që mund të ishin drejtuar diku tjetër, te pensionet qesharake, në arsim, në spitale, apo thjesht në një rrugë më të mirë për fshatrat e harruar pas kodrave.

Qifti

“Qifti” ynë vjen si një vrojtues i mprehtë nga lartësitë e absurditetit shqiptar, me sy të ngulur në çdo sjellje shoqërore që e meriton të shqyehet në copa satire. Kushdo, e aq më pak përbindshat e politikës, që do të shquhen nga syri i Qiftit tonë, nuk do t’i shpëtojë sqepit të ironisë dhe krahëve të përçmimit të tij.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *