
Policia bastisi një lokal në fshatin Bradashesh, ku u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak dhe pajisje që përdoren nga forcat e rendit. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrjetit të mundshëm kriminal.
Një operacion policor i koduar “Fast” është zhvilluar në orët e mbrëmjes në Elbasan, duke çuar në arrestimin e 14 personave, përfshirë një 17-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare, forcat e Komisariatit të Elbasanit, në bashkëpunim me njësinë “Shqiponja” dhe Forcën e Posaçme Operacionale, ndërhynë në një lokal në fshatin Bradashesh, në pronësi të shtetasit T. Z., ku u gjetën armë dhe pajisje të paligjshme.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, policia gjeti tri armë zjarri, municion luftarak dhe elementë që përdoren në veprimtari kriminale. Pas bastisjeve të mëvonshme në banesat e personave të arrestuar, u sekuestruan edhe një dorezë elektroshoku, katër radio të ngjashme me ato të policisë, një jelek me mbishkrimin “Policia”, një objekt në formë pistolete, një sinjalizues metalik, një thikë, një shkop metalik, disa automjete, një shumë parash dhe 13 celularë.
Të arrestuarit janë identifikuar si E. T., 39 vjeç, H. M., 25 vjeç, A. K., 49 vjeç, M. S., 47 vjeç, B. M., 53 vjeç, J. M., 30 vjeç, A. D., 49 vjeç, E. D., 29 vjeç, banues në Tiranë; si dhe T. Z., 52 vjeç, S. M., 46 vjeç, E. C., 36 vjeç, E. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, B. H., banues në Itali, dhe djali i mitur i T. Z.
Sipas hetimeve paraprake, grupi dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari të paligjshme që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe posedimin e pajisjeve të rezervuara për strukturat ligjzbatuese. Policia po punon për të zbuluar nëse personat kishin lidhje me grupe të tjera kriminale në qarkun e Elbasanit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për një sërë veprash penale që përfshijnë armëmbajtjen pa leje, kundërshtimin e forcave të rendit, moskallëzimin e krimit dhe mbajtjen e paligjshme të uniformës së policisë.
Burime nga policia theksojnë se operacioni “Fast” është pjesë e një fushate më të gjerë për goditjen e grupeve që përdorin armë dhe pajisje të paligjshme në zonat e Elbasanit dhe Tiranës, ndërsa hetimet pritet të shtrihen edhe në disa qytete të tjera të vendit.