
Policia ndalon në Maqellarë një automjet të mbushur me mallra të pafaturuara; në hetim përfshihen edhe punonjës doganorë të degës Bllatë.
Në Dibër është goditur një tjetër rast i kontrabandës së mallrave që hynin në territorin shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Policia e qarkut njoftoi se operacioni i koduar “Skaneri” çoi në arrestimin e një tregtari 42-vjeçar dhe të një doganieri, ndërsa një tjetër punonjës i doganës është vënë nën hetim.
Sipas hetimeve, 42-vjeçari me iniciale A. C., banues në Maqellarë, u ndalua në momentin që transportonte me automjetin e tij mallra të dyshuara të kontrabanduara, kryesisht detergjentë dhe materiale për paketim, pa dokumente shoqëruese apo fatura blerjeje.
Gjatë verifikimeve, u zbulua se në këtë aktivitet ishin përfshirë edhe dy doganierë të degës Bllatë. Njëri prej tyre, A. L., 51 vjeç nga Tirana, u arrestua për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, ndërsa tjetri, E. M., 50 vjeç nga Korça, po hetohet në gjendje të lirë.
Autoritetet kanë sekuestruar automjetin, mallrat e kontrabanduara si dhe një shumë parash në valuta të ndryshme. Policia theksoi se hetimet po vijojnë për të identifikuar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë skemë të kontrabandës, e cila dyshohet se ka funksionuar përmes korrupsionit në pikat kufitare të Dibrës.