
Një vit pas marrëveshjes me Italinë, qendrat në Gjadër dhe Shëngjin funksionojnë pjesërisht, mes pezullimeve, mungesës së trajnimit dhe akuzave për keqmenaxhim.
Një raport investigativ i gazetës italiane Euobserver ka zbuluar dështimet e thella të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e migrantëve, një projekt që tashmë po përmendet si shembulli më i qartë i shpenzimeve marramendëse pa rezultat.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë një viti vetëm 111 migrantë kanë kaluar nëpër dy qendrat e ngritura në Gjadër dhe Shëngjin, shumë larg kapaciteteve të planifikuara dhe justifikimit të fondeve të mëdha të investuara. Ndërkohë, operacionet janë pezulluar në disa raste për shkak të pengesave ligjore, burokratike dhe mungesës së koordinimit mes autoriteteve italiane dhe shqiptare.
Hetimi tregon se kompania italiane Medihospes, e kontraktuar për të menaxhuar qendrat, ka përfituar një shumë prej 133 milionë eurosh, ndonëse marrëveshja përfundimtare nuk është nënshkruar as pas 470 ditësh. Punonjësit në terren flasin për mungesë trajnimi, shkarkime të papritura dhe kushte pune të pasigurta, ndërsa shërbimet e premtuara në tender, si ato për të miturit apo hapësirat sociale, nuk janë vënë në zbatim.
Raporti përmend gjithashtu situata alarmante në qendra, me disa tentativa vetëvrasjeje të regjistruara çdo ditë gjatë pranverës së këtij viti dhe një numër minimal personash të ndaluar në tetor.
Në përfundim, Euobserver thekson se rasti i Shqipërisë është një paralajmërim për mënyrën si marrëveshjet e migracionit, kur mungon transparenca dhe mbikëqyrja efektive, mund të kthehen në eksperimente të dështuar që rëndojnë si mbi financat publike, ashtu edhe mbi dinjitetin njerëzor.