
Një marshim simbolik me motoçikleta përshkon Kosovën e më gjerë, me thirrjen që zëri i çlirimtarëve të dëgjohet në Hagë e Bruksel.
Në mëngjesin e sotëm, nga zemra e Prekazit, vendi i sakrificës dhe rezistencës shqiptare, është nisur një marshim simbolik drejt Hagës. Qindra motoristë kanë ndezur motorët për një rrugëtim që synon të përcjellë mesazhin e drejtësisë për çlirimtarët e Kosovës që po gjykohen në tribunalen ndërkombëtare.
Iniciativa, e udhëhequr nga platforma “Liria ka Emër”, ka për qëllim të ngrejë zërin kundër padrejtësive dhe të kujtojë se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Përfaqësuesi i nismës, Ismail Tasholli, u shpreh se marshi është një apel për drejtësi, një kujtesë për botën se Kosova e fitoi lirinë me gjak, jo me mëshirë.
Në fjalën e tij, Nasim Haradinaj, një nga pjesëmarrësit kryesorë të marshit, theksoi se udhëtimi është më shumë se një rrugëtim fizik, është një amanet moral për të mos harruar ata që sakrifikuan për vendin. Ai shtoi se drejtësia po vonon dhe proceset në Hagë po zhvillohen pa monitorim të vërtetë ndërkombëtar.
Motoristët do të kalojnë përmes vendeve simbol të rezistencës shqiptare , Poklek, Deçan, Gllogjan, Koshare e Mejë, për të nderuar kujtimin e të rënëve. Më pas, ata do të bashkohen me motoristë nga Zvicra, Gjermania, Austria dhe Italia, përpara se të mbërrijnë në Dusseldorf, Hagë dhe Bruksel, ku do të përmbyllin marshin me një thirrje të vetme: drejtësi për çlirimtarët e Kosovës.