
Një aksident i rëndë ka ndodhur në shtetin perëndimor të Rajasthanit në Indi, ku një autobus me mbi 50 pasagjerë është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar të paktën 20 viktima.
Ngjarja ndodhi gjatë udhëtimit midis qyteteve Jaisalmer dhe Jodhpur. Sipas policisë, 19 pasagjerë humbën jetën brenda mjetit, ndërsa një tjetër ndërroi jetë më vonë si pasojë e plagëve të marra. Oficeri i policisë Rajesh Meena konfirmoi për agjencinë AFP se autobusi ishte mbushur plot kur ndodhi zjarri, i cili u përhap brenda pak minutash.
Sipas raportimeve, autobusi kishte ndaluar në anë të rrugës pasi nga pjesa e pasme dilte tym. Pak çaste më vonë, zjarri përfshiu të gjithë automjetin, duke mos lënë kohë për shpëtim.
Kryeministri indian Narendra Modi u shpreh i tronditur nga humbja e jetëve njerëzore, duke premtuar kompensim financiar për familjet e viktimave në shumën e 200,000 rupi (rreth 1,940 euro) për secilën familje.
Tragjedia ka rikthyer në vëmendje gjendjen alarmante të sigurisë rrugore në Indi, një nga vendet me numrin më të lartë të aksidenteve në botë. Vetëm në vitin 2023, autoritetet raportuan mbi 480 mijë aksidente, ku gjetën vdekjen gati 173 mijë persona dhe u plagosën rreth 463 mijë të tjerë.