
Biznesmeni Elman Abule është paraqitur këtë të martë në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po gjykohet në lidhje me të ashtuquajturën “dosja Veliaj”.
Abule akuzohet për pastrim parash dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme ekonomike që lidhen me ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ai më herët kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar masën e arrestit shtëpiak që i ishte vendosur me kërkesë të SPAK.
Në të njëjtën dosje, i pandehur është marrë zyrtarisht edhe Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit. Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, për bashkëpunim në marrjen e përfitimeve të paligjshme.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar se Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar nëntë herë radhazi shuma parash dhe pasuri të paluajtshme nga kompani dhe organizata që, në këmbim, kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë.
SPAK thekson se ka siguruar prova që tregojnë se vendimet për ndarjen e fondeve janë firmosur drejtpërdrejt nga Veliaj në cilësinë e kryetarit të bashkisë, duke përforcuar dyshimet për korrupsion të strukturuar.
Ndërkohë, të pandehurit i mohojnë akuzat, duke i cilësuar hetimet si të motivuara politikisht. Procesi në GJKKO pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave të reja nga Prokuroria e Posaçme.