
Një tjetër krim i rëndë trondit Italinë. Një grua 29-vjeçare, Pamela Genini, është vrarë me thikë nga partneri i saj, 52-vjeçari Gianluca Soncin, në banesën e saj në lagjen Gorla të Milanos. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit, rreth orëve të vona, në rrugën Iglesias, ku fqinjët alarmuan policinë pasi dëgjuan britmat që vinin nga apartamenti.
Kur shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, për të renë nuk kishte më shpresë. Autori i dyshuar u gjet në gjendje të rëndë pasi kishte tentuar vetëvrasjen, duke u plagosur në qafë me të njëjtën armë të ftohtë që përdori për ta vrarë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin Niguarda, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Prokuroria e Milanos, nën drejtimin e prokurores Alessia Menegazzo, ka urdhëruar arrestimin e Soncinit për “vrasje të rënduar”, ndërsa ndaj tij janë ngritur edhe akuzat për planifikim paraprak të krimit dhe përndjekje. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte shkuar në banesën e të resë duke mbajtur me vete thikën, çka tregon se krimi ishte planifikuar paraprakisht.
Dëshmitë e miqve dhe fqinjëve kanë treguar një histori të përsëritur dhune e kërcënimesh. Pamela, sipas të njohurve, kishte shprehur dëshirën për t’i dhënë fund marrëdhënies, gjë që dyshohet se u bë shkaku i tragjedisë.
Sipas rindërtimit paraprak të policisë, autori e ka sulmuar gruan brenda apartamentit dhe e ka tërhequr në tarracë, ku i ka shkaktuar disa goditje fatale me thikë. Dëshmitarët kanë dëgjuar zërin e vajzës që kërkonte ndihmë pak para se të ndodhte krimi.
Policia shkencore ka kryer ekspertiza në vendngjarje për të përcaktuar saktësisht rrethanat e vrasjes, ndërsa gjyqtari hetues pritet të vendosë për kërkesën e prokurorisë për arrest me burg.
Kjo ngjarje e rëndë është e një tjetër rast i dhunës në familje që trondit Italinë, duke rindezur debatin publik mbi dështimin e sistemit për të mbrojtur gratë nga partnerët abuzivë.