
Organizata “Qëndresa Qytetare” ka njoftuar zhvillimin e një proteste këtë të mërkurë përpara Policisë Rrugore në Tiranë, duke kundërshtuar sekuestrimin e qindra monopatinave pas urdhrit për ndalimin e qarkullimit të tyre në rrugët e kryeqytetit.
Sipas organizatës, ky veprim i Policisë së Shtetit është kryer pa bazë ligjore dhe në mungesë të një akti zyrtar, duke cenuar të drejtën e pronës dhe duke u shkaktuar qytetarëve kosto të padrejta financiare.
“Me qindra monopatina janë sekuestruar vetëm mbi bazën e një njoftimi në rrjete sociale, pa asnjë dokument apo urdhër të nënshkruar nga Ministria e Brendshme,” thuhet në reagimin e “Qëndresës Qytetare”. Sipas tyre, shumë qytetarë nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhen mjetet e tyre dhe si mund t’i marrin sërish.
Protestuesit pritet të mblidhen në orën 10:00 përpara Komisariatit të Policisë Rrugore në zonën e Kinostudios, ku do të kërkojnë llogari dhe transparencë mbi veprimet e fundit të uniformave blu. Organizata ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët e prekur të bashkohen për të kundërshtuar “abuzimin me pushtetin dhe cenimin e pronës private”.
Ky zhvillim vjen pas një sërë ankesash të qytetarëve të cilët pretendojnë se mjetet e tyre janë sekuestruar pa proces verbal dhe pa asnjë mundësi apelimi. Nga ana tjetër, autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi mënyrën e zbatimit të këtij aksioni.