
Një studim i ri i publikuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences ka zbuluar se planeti ynë po reflekton gjithnjë e më pak dritën e diellit drejt hapësirës, duke e bërë Tokën më të errët se disa dekada më parë. Ky fenomen, sipas shkencëtarëve të NASA, lidhet ngushtë me ndryshimet klimatike dhe me ngrohjen e pabarabartë midis hemisferës veriore dhe asaj jugore.
Sipas ekipit të drejtuar nga Norman Loeb nga Qendra Kërkimore Langley e NASA, hemisfera veriore po bëhet më e errët dhe më e ngrohtë, ndërsa hemisfera jugore ruan ende aftësinë për të reflektuar më shumë dritë diellore. Ky ndryshim prish ekuilibrin e energjisë diellore që Toka zakonisht ka ruajtur për miliona vite.
Fenomeni njihet si ulje e albedos; aftësia e Tokës për të reflektuar rrezet e diellit. Me shkrirjen e akujve, reduktimin e reve reflektuese dhe zgjerimin e sipërfaqeve oqeanike të ngrohta, një pjesë gjithnjë e më e madhe e energjisë diellore po absorbohet në vend që të kthehet në hapësirë.
Kjo nënkupton jo vetëm një rritje të temperaturave globale, por edhe një përkeqësim të cikleve klimatike, përfshirë qarkullimin e erërave dhe rrjedhat oqeanike. Shkencëtarët e quajnë këtë një paralajmërim të qartë se klima po humbet ekuilibrin e saj natyror.
Ndërsa rezultatet e studimit ngrejnë shqetësime për pasojat afatgjata, ekspertët theksojnë se Toka po hyn në një fazë të re të historisë klimatike, ku ndikimi i njeriut po ndryshon jo vetëm temperaturat, por edhe mënyrën si planeti ynë reflekton dritën e diellit.