
Shkencëtarët në Masaçusets kanë krijuar një vaksinë eksperimentale që mund të parandalojë zhvillimin e disa prej formave më agresive të kancerit, përfshirë melanomën, kancerin e pankreasit dhe kancerin e gjirit me treshe negative. Rezultatet, të botuara në revistën Cell Reports Medicine, janë cilësuar si një hap revolucionar në luftën kundër sëmundjeve tumorale.
Eksperimentet janë kryer në minj laboratorikë dhe kanë treguar se vaksina, e ndërtuar me nanopartikula nga molekula yndyrore, aktivizon sistemin imunitar për të njohur dhe shkatërruar qelizat kancerogjene përpara se ato të zhvillohen në tumor.
Në testimet e kryera, deri në 88 % e minjve të vaksinuar mbetën pa tumore, ndërsa në disa raste u arrit të parandalohej plotësisht përhapja e qelizave kancerogjene në organe të tjera. Në kontrast, të gjithë minjtë që morën vaksina tradicionale ose nuk u trajtuan, zhvilluan tumore brenda 35 ditësh.
Vaksina përmban një kombinim të “antigjeneve” që mësojnë sistemin imunitar të njohë qelizat kancerogjene dhe “adjuvantëve”, substanca që forcojnë reagimin imunitar. Ky kombinim, i shpërndarë nëpërmjet nanopartikulave, synon ta “stërvisë” trupin të mbrojë veten nga kanceri para se të shfaqet.
Studimi tregon se trajtimi ka funksionuar për disa tipe kanceri, duke përfshirë edhe ato që janë tradicionalisht më rezistente ndaj terapive ekzistuese, si kanceri i pankreasit.
Megjithëse deri tani vaksina është testuar vetëm te minjtë, shkencëtarët e Universitetit të Massachusetts Amherst janë optimistë se rezultatet mund të përsëriten te njerëzit. Ata kanë krijuar një startup të quajtur NanoVax Therapeutics, që synon zhvillimin e trajtimeve kundër kancerit për përdorim klinik.
Autorja e studimit, profesorja Prabhani Atukorale, tha se kjo vaksinë nuk vetëm që ndalon zhvillimin e tumoreve, por mund të parandalojë edhe formimin e tyre që në fazat më të hershme.
Ekspertët theksojnë se teknologjia me nanopartikula mund të hapë epokën e re të mjekësisë parandaluese, duke ofruar mbrojtje të personalizuar ndaj sëmundjeve si kanceri, Alzheimeri apo edhe çrregullimet neurologjike, pasi nanopartikulat mund të kalojnë barrierat natyrore të trurit dhe sistemit imunitar.