
Policia ka vënë në pranga një 29-vjeçar me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar se ndihmoi të shumëkërkuarin Aldo Avdylaj të fshihej në Tiranë. Arrestimi është bërë në kuadër të operacionit policor të koduar “Ghosts”, i zhvilluar nga Forca Operacionale e DVP Durrës në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe repartin RENEA.
Sipas hetimeve, i arrestuari, i identifikuar si D. Sh., ka marrë me qira një banesë në kryeqytet për t’ia vënë në dispozicion Aldo Avdylajt, i cili kërkohej për disa vepra të rënda penale. Gjatë kontrolleve në këtë banesë, policia gjeti një armë zjarri të tipit pistoletë dhe municion luftarak.
Aldo Avdylaj akuzohet për vrasje me paramendim për motive hakmarrjeje, pastrim parash dhe mbajtje pa leje të armëve, veprime që dyshohet se janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Hetuesit besojnë se 29-vjeçari i arrestuar ka ndihmuar në fshehjen e tij për disa muaj, duke i siguruar strehim të sigurt në Tiranë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar persona të tjerë që mund të kenë qenë pjesë e rrjetit të ndihmës ndaj Avdylajt. Policia thekson se operacioni “Ghosts” mbetet në zhvillim dhe priten arrestime të tjera.