
Një tjetër akuzë e rëndë është ngritur ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Partia Demokratike ka zbuluar se Kreu i Shtetit, përveç detyrës së tij zyrtare, rezulton të jetë i punësuar edhe në një spital privat, në shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se Begaj mban njëkohësisht dy poste, atë të Presidentit dhe të konsulentit mjekësor në spitalin privat “Acibadem”. Sipas Bardhit, ky është “një veprim i paprecedentë” që cenon parimin e ndarjes së funksioneve publike dhe bie ndesh me ndalimin kushtetues për ushtrimin e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse gjatë mandatit presidencial.
Të dhënat e publikuara në “Open Spending Data” tregojnë se në vitin 2023, Begaj ka përfituar 1,605.52 euro nga spitali “Acibadem”, ku figuron si konsulent mjekësor. Përveç kësaj, në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin e kaluar, ai ka raportuar 3,234,215 lekë pagë si President dhe 6,600 euro në formë dietash për aktivitetet zyrtare jashtë vendit.
Sipas opozitës, ky është një rast i qartë i konfliktit të interesit dhe përbën bazë për nisjen e procedurave të shkarkimit të Presidentit. “Asnjë President në historinë e vendit nuk ka ushtruar aktivitet privat gjatë ushtrimit të mandatit. Ky është një precedent i rrezikshëm për institucionin e Kreut të Shtetit,” u shpreh Bardhi.
Zyra e Presidentit ende nuk ka dhënë ndonjë reagim lidhur me këto akuza, ndërsa PD ka paralajmëruar se do t’i dorëzojë Kuvendit dokumentacionin zyrtar që, sipas saj, provon shkeljen kushtetuese.