
Presidenti i Republikës Bajram Begaj i kërkon Gjykatës Kushtetutese të shpallë moskompetencën mbi dekretin e shpallur prej tij më 1 Tetor për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë, dekret që u pezullua nga kjo gjykatë. Kërkesa i drejtohet Gjykatës pasi më 31 tetor trupa e Kushtetueses do shqyrtojë kërkesën e Erion Veliaj, që kundërshton vendimin e qeverisë për shkarkimin si kryebashkiak.“Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese të deklarojë në fillim të seancës së datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025. Të vendosë në fillim të seancës heqjen e pezullimit për dekretin. Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në Kushtetutë”, thuhet në kërkesë.
Në parashtrimet e tij, Presidenti Begaj, sqaron se legjislacioni në fuqi përcakton qartësisht se vendimi i qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt është akt administrativ individual dhe dekreti i Presidentit i datës 1 tetor për shpalljen e ditës së zgjedhjeve, është akt administrativ kolektiv. Gjithashtu, theksohet se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion mbi dekretin për datën e zgjedhjeve“Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë një akt administrativ, mbi të cilin nuk ka juridiksion, për shkak se nuk ka ditur si të pengonte veprimin e tij. Ky është arbitraritet i patolerueshëm për një sistem që vepron mbështetur në parimet e shtetit ligjor. Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë menjëherë mungesën e kompetencës për shqyrtimin e dekretit, të heqë menjëherë pezullimin që ka vendosur dhe të çlirojë Institucionin e Presidentit të Republikës nga statusi i palës së interesuar, sepse dekreti i Presidentit të Republikës nuk mund të jetë objekt shqyrtimi në këtë çështje. Përndryshe, procedura mund të kryhet deri në fund, por do të jetë antikushtetuese”, thuhet në shkresë.