
Përplasja ndodhi pranë një pike karburanti në lagjen nr. 15, ku njëri nga të përfshirët goditi kundërshtarin me tytën e armës.
Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen nr. 15 të qytetit të Durrësit, pranë një pike karburanti. Ngjarja nisi pas një debati verbal mes tre personave, që shpejt u përshkallëzua në përplasje fizike.
Gjatë sherrit, një nga të përfshirët ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka goditur me tytë njërin prej kundërshtarëve. Si pasojë, dy persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Mjekët bëjnë me dije se të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e policisë, të cilat ndodheshin afër zonës, kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar situatën dhe shoqëruar personat e përfshirë në komisariat. Po verifikohet nëse arma e përdorur ishte me leje, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar motivet e konfliktit.