
Pas rrëzimit të Andry Rajoelinës dhe trazirave me dhjetëra viktima, koloneli Michael Randrianirina merr drejtimin e Madagaskarit mes premtimeve për “rend dhe stabilitet”.
Koloneli Michael Randrianirina është betuar sot si president i ri i Madagaskarit, vetëm pak ditë pas rrëzimit të qeverisë civile dhe largimit nga vendi të ish-presidentit Andry Rajoelina.
Ceremonia e betimit u zhvillua pas vendimit të Gjykatës së Lartë Kushtetuese, e cila zyrtarizoi marrjen e pushtetit nga forcat e armatosura. Kjo shënon kulmin e një jave të trazuar për shtetin ishullor afrikan, ku protesta masive për mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm janë përshkallëzuar në dhunë.
Sipas raportimeve të Kombeve të Bashkuara, përplasjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar të paktën 22 viktima dhe mbi 100 të plagosur. Protestuesit, të udhëhequr kryesisht nga të rinjtë, kishin kërkuar dorëheqjen e Rajoelinës, duke e akuzuar për korrupsion dhe paaftësi qeverisëse.
Randrianirina, komandant i njësisë ushtarake CAPSAT, u pa të martën në krye të turmave protestuese në Antananarivo, ku njoftoi se ushtria kishte marrë kontrollin e vendit për të rivendosur rendin dhe stabilitetin.
Pas shpalljes së tij si president i përkohshëm, Bashkimi Afrikan ka pezulluar Madagaskarin nga aktivitetet e tij, duke e cilësuar ngjarjen si marrje të pushtetit me forcë. Megjithatë, shumë qytetarë në vend e kanë pritur zhvillimin si fillimin e një epoke të re pas viteve të korrupsionit dhe mungesës së shërbimeve bazë.
Komuniteti ndërkombëtar pritet të reagojë në orët në vijim, ndërsa në kryeqytet forcat e ushtrisë vazhdojnë të ruajnë institucionet kryesore shtetërore për të parandaluar shpërthime të reja dhune.