
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në shtetin e Illinois, ku një çift nga Wisconsin u gjet i vdekur brenda makinës së tyre vetëm pak ditë para përvjetorit të parë të martesës. Hetimet paraprake zbulojnë se Rachel Dumovich, 29 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Brandon Dumovich, 30 vjeç, kanë humbur jetën nga plagë të rënda me armë zjarri në kokë.
Trupat e tyre u zbuluan nga një oficer policie në orën 23:52 të datës 6 tetor, pasi vuri re një makinë të ndalur në anë të rrugës Route 14, pranë qytetit Harvard, me dritat emergjente ndezur. Brenda mjetit u gjetën të pajetë Rachel në sediljen e shoferit dhe Brandon në anën e pasagjerit.
Autoritetet vendase shpallën për pak kohë gjendjen e emergjencës për zonën përreth, por më pas konfirmuan se nuk kishte kërcënim aktiv për publikun. Ndërsa pista e një vrasje-vetëvrasjeje mbetet në shqyrtim, zyrtarët e policisë nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar.
Sipas mediave amerikane, çifti ishte vetëm disa ditë larg përvjetorit të parë të martesës së tyre, të zhvilluar më 12 tetor 2024 në liqenin Big Cedar, Wisconsin. Ata ishin njohur që në shkollën e mesme dhe kishin ruajtur lidhjen për më shumë se 15 vjet përpara se të martoheshin.
Postimet e fundit të Rachel-it në Facebook, disa orë para ngjarjes, tregojnë çiftin duke buzëqeshur në një foto nga pushimet në Greqi, me mbishkrimin “Duke ndjekur perëndimet… do të doja të ishim sërish në Greqi”.
Komuniteti lokal është tronditur nga ngjarja, ndërsa miqtë dhe familjarët e kanë përshkruar Rachel-in si një grua me shpirt të ndjeshëm dhe Brandon-in si një njeri që “ndriçonte çdo ambient”. Ai kishte shërbyer në Marinën Amerikane dhe ishte i njohur për energjinë pozitive dhe aftësinë për të bashkuar njerëzit.
Hetimet nga policia e Harvardit dhe Zyra e Hetimeve të Qarkut McHenry po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së çiftit që, deri pak orë më parë, dukej se po gëzonte një jetë të qetë e të lumtur bashkëshortore.