
Aldo Avdyli, i kërkuar prej muajsh nga SPAK, u lokalizua pranë “Liqenit të Thatë” falë një pajisjeje përgjuese izraelite që zbuloi bazën ku po planifikohej një atentat.
Një pajisje përgjuese me origjinë izraelite ka çuar në identifikimin dhe arrestimin e Aldo Avdylit, i njohur në botën e krimit si pjesë e klanit të Shijakut. 37-vjeçari, i kërkuar prej muajsh nga SPAK, u lokalizua në një apartament të marrë me qira pranë zonës së “Liqenit të Thatë” në Tiranë, ku dyshohet se kishte ngritur një bazë operative për të organizuar një atentat të ri.
Sipas burimeve hetimore, Avdyli ishte fshehur në një apartament të Dorjan Sherifit, ndërsa kishte zgjedhur të qëndronte pranë një kazinoje të njohur, për të mos rënë në sy. Lëvizjet e tij, megjithatë, ishin vëzhguar prej javësh nga strukturat e policisë, të cilat përdorën teknologji të avancuar përgjuese, të ardhur nga Izraeli, që çuan në lokalizimin e saktë të 37-vjeçarit.
Një gabim i bërë nga vetë Avdyli në fillim të tetorit, një telefonatë kërcënuese ndaj nën-drejtorit të Policisë së Durrësit, Bujar Deliallisi, i dha autoriteteve mundësinë të gjurmonin sinjalin e tij dhe të mbyllnin rrethimin.
Avdyli, i cili njihet edhe me emrin Elidon, është një figurë e vjetër e botës së krimit. Ai akuzohet për financimin dhe organizimin e Edmir Koçit, i njohur si “Maloku”, në një tentativë për vrasje në Durrës në vitin 2021. Kjo është masa e dytë “arrest në burg” ndaj tij, pasi në maj 2024 Prokuroria e Posaçme e kishte shpallur në kërkim për akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” ndaj Durim Bamit, një tjetër emër i njohur i botës kriminale.
Sipas dosjes hetimore nr. 59, Avdyli ishte pjesë e një grupi prej mbi 16 personash që planifikonin eliminimin fizik të Bamit, por operacioni kishte dështuar në momentet e fundit. Tashmë, pas ndërhyrjes së teknologjisë izraelite dhe ndjekjes së koordinuar të policisë shqiptare, rrjeti i Shijakut ka pësuar një goditje të rëndë që pritet të sjellë arrestime të tjera në ditët në vijim.