
Partitë shqiptare ndahen mes deklaratave patriotike dhe mungesës së veprimit konkret, ndërsa në Tiranë zhvillohet protesta për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK.
Në Tiranë sot flitet për Kosovën, por jo për drejtësinë e saj. Partitë politike që për vite me radhë kanë ngritur flamujt e bashkimit kombëtar, tani shfaqen të ndara mes fjalëve dhe veprave. Vetëm një ditë pasi Partia Socialiste rrëzoi në Kuvend rezolutën që dënonte gjenocidin serb, të njëjtët përfaqësues socialistë pritet të dalin në shesh në protestën për ish-krerët e UÇK, një skenë që më shumë ngjan me teatër politik sesa me solidaritet të vërtetë.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike, që propozoi rezolutën, zgjodhi të mos marrë pjesë në protestë. Thirrjet për drejtësi i lëshon nga distanca, ndërsa qytetarët që do të dalin sot në shesh do ta ndjejnë boshllëkun e klasës politike që e përmend Kosovën vetëm kur i leverdis politikisht.
Në këtë sfond, vendimi që Rruga e Kombit të jetë pa pagesë për vetëm 24 orë për ata që udhëtojnë drejt protestës, shihet si shembulli më i qartë i hipokrizisë shtetërore: një solidaritet me afat, për një kauzë që kërkon përkushtim të përhershëm.
Ndërsa në Hagë vijon gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe ish-drejtuesve të UÇK, Tirana zyrtare përmbytet nga deklarata boshe, premtime patriotike dhe kujtesë selektive. E gjithë kjo tregon se për politikën shqiptare, Kosova mbetet një simbol për postera e fjalime, jo një përgjegjësi kombëtare për t’u mbrojtur me dinjitet e konsekuencë.